Anakita, histori suksesi

10/04/2017 00:00

Anakita është rome, por kjo si rrallëkush nga komuniteti i saj, nuk e bën të ndryshme nga të tjerët. Ajo shkruan, lexon, madje di të tregojë edhe sesi e sheh veten në të ardhmen.

“Lule, pemë, detin, sepse më pëlqejnë ngjyrat”, thotë ajo kur pyetet se çfarë i pëlqen të fotografojë.

7-vjeçarja jeton në kushte të vështira, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj, por është me fat pasi ka një baba që nuk e nxjerr të mbledhë hekurishte për skrap apo të lypë, si shumë prindër të tjerë romë, por e çon në shkollë për një të ardhme të sigurt. Madje, këmbëngulja e Fatmirit e kapërcen edhe pragun e shtëpisë…

“Sot jam një person që dua të nxis komunitetin të shkollohet. T’u mësojnë më frymën për të ndjekur arsimin. Çfarë ka në shtëpi do të hamë, të paktën fëmijët të jetojnë një jetë më të mirë”, thotë ai.

Por, pas këtij vullneti të hekurt fshihet ndjeshmëria e një një burri dhe e vuajtjeve për shkak të paragjykimeve. Fatmiri thotë se fëmijërinë e ka kaluar me dorën shtrirë për dy qindarka. I etiketuar si lypësi, jetimi, mes etiketimesh, që mund të ulnin në gjunjë këdo, Fatmiri thotë se nuk u dorëzua.

Në vitin 1994 jeta e tij mori tjetër drejtim, një shoqatë i siguroi shkollimin, ndërsa prej 4 muajsh punon te Eko Tirana, pjesë e bashkisë, hera e parë në jetë si punonjës i ligjshëm.

“Kemi lypur. Kemi kërkuar lëmoshë. Kam pas 1 jetë të veçuar nga shoqëria”, rrëfen ai.

E kaluara e tij është arsyeja pse është i vendosur t’u trashëgojë fëmijëve atë që nuk ia siguruan prindërit e tij, arsimin, por edhe mundësinë e vetme që ky komunitet ka për t’u integruar në shoqëri.

Fatmiri thotë se dikur komuniteti rom paragjykohej më shumë, paragjykimet mesa duket do të jenë aty, së paku edhe për brezin e fëmijëve të tij.

“Kam vetëm një shoqe”, tregon Anakita kur pyetet se sa shokë e shoqe ka në shkollë.

Top Channel