Trazira në Palermo, Shqipëria me sytë nga FIFA

10/04/2017 00:00

Trazirat e shkaktuara në stadiumin e Palermos muajin e kaluar, që detyruan arbitrin të pezullonte përkohësisht ndeshjen Eliminatore të Botërorit 2018 mes Italisë dhe Shqipërisë, ishin në fokusin e Kuesturës së Palermos.

Kjo e fundit zyrtarizoi dënimin e 7 tifozëve për kaosin që mbretëroi pak minuta në stadiumin “Renzo Barbera”.

Mes tifozëve që nuk do të lejohen të hyjnë në stadium për periudha të ndryshme është dhe një shtetas shqiptar. Ai u ndalua pas verifikimeve të pamjeve dhe imazheve nga kamerat e sigurisë. Kuestori i Palermos Renato Korteze e quajti shqiptarin dhe 6 italianë të tjerë, fajtorë për situatën aspak sportive.

Tifozi i kombëtares kuqezi është vërtetuar se lëshoi një fishekzjarr në fushë dhe ndezi një flakadan, veprime për të cilat nuk do të lejohet të hyjë për 3 vjet në stadiumet italiane.

Këto masa janë të pavarura nga sanksionet e pritshme të FIFA-s për Shqipërinë. FSHF pritet të marrë një gjobë të majme për sjellje josportive të përsëritura të tifozëve, ndërsa nuk përjashtohet dhe dënimi i fushës.

Pas Izraelit në qershor në transfertë, sfida e radhës e kuqezinjve do të luhet me Lihtenshtejnin në 2 shtator.

Top Channel