Maqedonia, Koçijançiç: KE pret zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe qeverisë

10/04/2017 00:00

Komisioni Europian pret nga udhëheqësit politikë dhe institucionet në Republikën e Maqedonisë të lejojnë zhvillimin e procesit demokratik në vend, që sipas Brukselit zyrtar përfshin edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit dhe më pas qeverisë së re pa vonesa.

“Ne presim që kjo të ndodhë në Maqedoni, e madje në këtë fazë. Ne i ndjekim zhvillimet dhe ngjarjet dhe flasim vazhdimisht se duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ngërçi aktual është i panevojshëm. Qeveria duhet të konstituohet pa vonesa, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston. E dini se përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe komisioneri Hahn i bënë thirrje presidentit që ta rishikojë pozitën e tij. Ne presim tashmë që të gjithë krerët politikë dhe institucionet të lejojnë të zhvillohet procesi demokratik, ku përfshihet edhe zgjedhja e kryeparlamentarit, gjë që ne do të donim ta shihnim pa vonesa”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç.

Pritjet në Bashkimin Europian janë se, pavarësisht të gjitha pasigurive dhe skenarëve të mundshëm negativë, gjatë kësaj jave në Maqedoni të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, ndërsa më pas, në një afat prej dy javësh, të ndodhë edhe formimi i Qeverisë së re të Maqedonisë.

Top Channel