Kritika Raikkonenit, Marchionne: Nuk ishte agresiv sa Vettel

10/04/2017 00:00

Fillimi i sezonit të Formulës 1 nuk është plotësisht i kënaqshëm për Ferrarin. Ndërsa për Vettelin, entuziazmi është i madh pas fitores në Australi dhe vendit të dytë në Kinë, për Raikkonen po ndodh e kundërta.

Finlandezi nuk ka mundur të japë maksimumin e tij në pistë në dy garat e para, siç ndodhi në testet parasezonale. Madje në garën e Kinës, ai nuk mundi të parakalojë Ricciardon, që u shndërrua në një pengesë jo të vogël për Ferrarin.

Presidenti i Ferrarrit, Sergio Marchionne nuk i kurseu kritikat në drejtim të Raikkonenit, të cilin e përkufizoi si “pasiv” në garën e kësaj fundjave.

“E kam diskutuar me Arrivabenen dhe mendoj se është e nevojshme që të flitet me Raikkonen. Dukej sikur në garën e Kinës, ai e kishte mendjen në gjëra të tjera. Vettel ishte më agresiv”, tha Marchione.

Në krahun tjetër, Raikkonen bëri fajtore skuadrën dhe strategjinë e saj për paraqitjen e tij. Sipas finlandezit, teknikët duhet ta kishin thirrur në bokse më herët, në mënyrë që të evitonte trafikun, gjë që ata nuk e bënë.

Kimi Raikkonen, kampion bote me Ferrarin në vitin 2007, është në vitin e fundit të kontratës së tij me skuderinë italiane. Për të ardhmen e tij nuk është marrë ende ndonjë vendim, pasi gjithçka do të varet nga rendimenti i tij gjatë garave, e këtë vit gjërat për finlandezin po shkojnë jo aq mirë sa për shokun e tij të skuadrës, Sebastian Vettel.

Top Channel