Kina, si SHBA: Duhet të ndalojmë Korenë e Veriut

10/04/2017 00:00

Një sukses të vogël, Uashingtoni me Pekinin e arriti. Nga sa pohon vet shefi i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson, Kina e kupton sesa i rrezikshëm është bërë programi bërthamor i vendit të izoluar komunist dhe pranon se duhet kaluar në aksion për frenimin e tij.

Komentet vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara nisën një grup goditës të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “Carl Vinson” drejt gadishullit korean, ndërsa shtohen gjithmonë e më shumë spekulimet se Peniani po përgatit një tjetër test bërthamor.

“Edhe Kina vet ka nisur ta pranojë se ky lloj programi përfaqëson një kërcënim ndaj interesave të saj. Presidenti Xi e kupton dhe kam bindjen që edhe e pranon se situata është përshkallëzuar pak si shumë e ka mbërritur një nivel kërcënimi, ku kalimi në veprim duket i domosdoshëm”, tha Rex Tillerson.

Tillerson nuk sqaroi se për çfarë veprimi mund të bëhet fjalë saktësisht, por muajin e kaluar në Seul, kryediplomati amerikan pati thënë se vendi i tij do ta marrë në konsideratë aksionin ushtarak kundër Koresë së Veriut, nëse provokohet prej saj.

Një ditë më parë, këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, H.R. McMaster njoftoi se shefi i Shtëpisë së Bardhë u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë t’i paraqesin “opsione” për të eliminuar rrezikun që paraqet militarizimi bërthamor i Penianit. McMaster e cilësoi “një veprim të mençur” vendimin për të dërguar njësinë luftarake “Carl Vinson” në mbrojtjen e interesave në Paqësorin Perëndimor.

Top Channel