Kombëtarja e femrave, Grima: Me Greqinë, maksimumin tonë

10/04/2017 00:00

Përfaqësuesja shqiptare e ekipit femra do të zhvillojë ditën e martë ndeshjen e fundit të fazës së parë të grupeve për eliminatoret e botërorit.

Pas fitores me përfaqësuesen e Kosovës dhe barazimit me atë të Maltës, skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të përballet me skuadrën më të fortë të grupit Greqinë, e cila edhe e kryeson atë.

Megjithatë pjesëmarrja e Shqipërisë në këto eliminatore nuk është se ka patur një objektiv sportiv, duke ditur se futbolli i femrave në vendin tonë është në hapat e para dhe për momentin është pak i shpërqendruar duke qenë se ka patur edhe lëvizje të lojtareve nga Shqipëria tek Kosova.

“Ne jemi në hapat e para edhe nëse do të fitonim me Malten vështirë të kualifikoheshim. Qëllimi kryesorë është që të paraqitemi mirë dhe të afrojmë sa më shumë vajza tek futbolli i femrave pasi kemi nevojë. Ndërkohë që lëvizja e disa vajzave drejt Kosovës nuk është se ka ndikuar shumë në nivelin tone”, tha Grima, trajneri i kombëtares së femrave.

Top Channel