Ibra, si Benjamin Button: Jam lindur plak, për të vdekur i ri

10/04/2017 00:00

Zlatan Ibrahimoviç nuk di të ndalet në fushën e lojës. Edhe pse në moshën 35-vjeçare, ritmi i tij i shënimit të golave është i një niveli mbresëlënës.

Në përballjen me Sunderlandin, Ibrahimoviç shënoi në minutën e 30, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së Manchester United. Ajo që të bën përshtypje në statistikat e Ibrahimoviç është se, sulmuesi  e sheh veten në kuotën e 250 golave të shënuar që nga momenti kur arriti moshën 30-vjeçare.

I pyetur për sekretin e formës së tij, Ibrahimoviç tha se punon shumë dhe se është i përqëndruar maksimalisht në detyrat e tij.

“Duket se, sa më shumë plakem, aq më inteligjent bëhem. Sigurisht nuk mund të bëj të njëjtat lëvizje si 5 apo 10 vite më parë. Por me kalimin e viteve, një person fiton më shumë eksperiencë dhe bëhet më inteligjent. Nuk shpenzoj shumë energji kur nuk është e nevojshme. Loja ime po përmirësohet, më duket vetja si Benjamin Button, i lindur plak për të vdekur i ri”, tha Ibrahimoviç.

Top Channel