Krahasimi me Messin, Dybala: Unë jam Paulo

10/04/2017 00:00

Paulo Dybala vazhdon të jetë protagonist, si në fushën e lojës, ashtu edhe në media. Futbollisti argjentinas është ende objekt i krahasimeve me bashkëkombasin e tij, Lionel Messin, me të cilin do të përballet në Champions League, kur Juventusit të luajë ndaj Barcelonës.

Sigurisht, Dybalës nuk i kanë pëlqyer shumë këto krahasime, gjë të cilën ai e ka theksuar në një intervistë për të përditshmen “Marca”.

“Njerëzit duhet ta dinë se nuk jam Messi, por jam Dybala dhe kjo është ajo që dua. Edhe pse i kuptoj krahasimet që bëhen”, tha Dybala. “Messi është unik, ashtu siç ka qenë më parë Maradona. Janë lojtarë që nuk mund të zëvendësohen. Pritshmëritë e njerëzve janë të mëdha dhe kjo e rrit presionin mbi mua. Unë do të jap maksimumin që të mos i zhgënjej shumë”, shtoi më tej ai.

Emri i Paulo Dybalës është lidhur prej kohësh me atë të Barcelonës në merkaton e transferimeve, ndërkohë që ai pritet të firmosë rinovimin e kontratës me Juventusin. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Dybala tha se në futboll asnjëherë nuk dihet se çfarë do të ndodhë, por për momentin ai ndihet mirë te “Zonja e vjetër”.

Top Channel