NBA, bie Cleveland, Denver mbetet jashtë “play off”-it

10/04/2017 00:00

Oklahoma City lë Denver përfundimisht jashtë zonës së “play off”-it në kampionatin e NBA.

Në “Pepsi Center”, skuadra e Thunder arriti të mposhtë atë nga Colorado me rezultatin 106-105. Nuk ishte një ndeshje e lehtë për Oklahoma-n që arriti të përmbysë disavantazhin prej 14 pikësh që Nuggets e krijoi në fillimin e periodës së fundit.

Protagonisti absolut për Oklahoma-n u bë i zakonshmi Russell Westbrook, i cili e mbylli këtë ndeshje me 50 pikë, ku përfshihen edhe ato vendimtare nga distanca në sekondën e fundit.

Për Denver, Gallinari vendosi rekord personal me 34 pikë, por pa mundur dot të ndihmojë skuadrën e tij të arrijë objektivin për të qenë mes 8 më të mirave të Konferencës së Perëndimit.

Cleveland dorëzohet përballë Atlanta-s në kohën shtesë pasi u mund me rezultatin 126-125. Kyrie Irving bëri më të mirën e tij në parket teksa shënoi 45 pikë, ndërkohë që LeBron James e mbylli sfidën me 32 pikë 16 topa në tabelë e 10 assist. Por këto statistika nuk i mjaftuan skuadrës kampione në fuqi që të fitojë ndeshjen.

Ajo që të bën më shumë përshtypje është se Cleveland arriti të marrë një avantazh deri në 26 pikë në këtë përballje me Hawks, por kjo e fundit reagoi me forcë në 12 minutëshin e fundit duke e anuluar atë dhe barazuar ndeshjen 111-111 për ta çuar atë në 5 minutat e shtesës ku siguroi edhe fitoren. Për Atlantën, më i miri në parket ishte Paul Millsap me 22 pikë ndërsa Tim Hardaway Jr e mbylli sfidën me 21 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Toronto fitoi në Madison Square Garden ndaj New Yorkut 110-97, Houston mundi Sacramenton 135-128, ndërsa LA Lakers mposhti në Staples Center, Minnesotën 110-109.

Top Channel