Protesta pro Sorosit në Hungari: Jo mbylljes së universitetit të tij

10/04/2017 00:00

Gati 70 mijë hungarezë dolën në rrugë të dielën me thirrjet për arsim falas, e i kërkuan qeverisë të tërheqë legjislacionin që parashikon bllokimin e njërit prej universiteteve më të rëndësishme të vendit.

Rregullat e reja të mbështetura prej ekzekutivit të Victor Orbanit nuk ia lejojnë më lëshimin e diplomave Universitetit Qendror Europian “CEU” të themeluar nga filantropi miliarder George Soros.

Projektligji kërkon që të 28 universitetet e huaja, të cilat funksionojnë në Hungari, të kenë kampuse edhe në vendet e tyre të origjinës. “CEU”, i themeluar pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, është i vetmi kolegj ndërkombëtar pa degë jashtë vendit.

“Qeveria kërkon t’ia mbyllë gojën pak a shumë çdo personi që mendon ndryshe nga ajo, që ka mendje të hapur, që mund të jetë liberal, që mund të jetë i majtë, që mund t’i ketë të dyja. Ajo do që këta njerëz të heshtin. Dhe sipas qeverisë, një prej qendrave ku gjenden njerëz të tillë është CEU, prandaj duan ta mbyllin”, tha Kornel Klopfstein, organizues i protestave.

“Unë protestoj kundër metodës që qeveria jonë përdor, kundër mungesës së dialogut, përpjekjeve disavjeçare për të zhdukur të gjitha institucionet demokratike. Nuk mund të jetë kjo e ardhmja për ne, apo për fëmijët tanë”, tha Bara Bognar, protestuese.

“Në këtë vend, dija dhe kërkimi kanë rëndësi të madhe. Ne nuk mund të lejojmë që vlera të tilla të shkatërrohen për qëllime politike”, tha Gabor Brody, mësues “CEU”.

Projektligji i ri e ka marrë miratimin e Parlamentit dhe tani pret vetëm firmën e kreut të shtetit. Kritikët këmbëngulin se ai nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i fushatës së gjerë qeveritare kundër disidentëve që ka prekur mjaft organizata joqeveritare.

Sipas korrespondentes së “Euronews”, Andrea Hajagos, në rrugët e Budapestit rrallëherë kanë dalë kaq shumë njerëz në mbështetje të një tubimi.

Top Channel