Godelli: Nuk e llogaris Qerimajn

09/04/2017 00:00

I shpallur kampion Europe në stilin e shkëputjes, në europianin e peshëngritjes, të zhvilluar në Split të Kroacisë, Daniel Godelli, flet për Top Channel, për herë të parë për emocionet që nuk e lejuan sipas tij të shprehë potencialin maksimal në këtë kampionat.

“2-vjeçari që nuk kam bërë një garë ndërkombëtare, ndoshta ndikoi pak për keq. Gjithësesi për mua është sukses, të paktën nuk rashë poshtë arit në një stil. Do kisha shumë më shumë mundësi në stilin e shtytjes, por nuk desh fati dhe kaq”, tha Godelli.
 
Kjo medalje e ka rikthyer edhe një herë disa vite prapa Daniel Godellin, tek enigma e historisë së dopingut.

“Unë vërtetë jam kap me doping, por pasi mora këtë medalje, më vjen të pyes ku qe faji i 2014-s që u kapa me doping. Kjo do të më sqaronte të gjitha idetë për botërorin e ardhshëm, që është në Amerikë. Të paktën të dija se çfarë ka ndodhur atë vit, e të vazhdoj përpara. Kjo më mban peng”, komentoi kampioni.
 
Në këtë europian, për të dytën herë Godelli dhe Qerimaj ishin në të njëjtën peshë, por për të dytën herë, duelin e dy kampionëve shqiptarë e ka fituar peshngritësi shkodran, i cili shpesh e thekson këtë fakt.
 
“Kjo për atë quhet sukses, se të mundësh një sportist si Daniel Godelli është gjë e madhe. Normalisht duhet ta thotë me zë të lartë ‘e munda!’, por që bronzi dhe argjendi nuk besoj se vlen sa kjo(tregon medaljen e artë). Unë nuk kisha kundërshtar Erkandin në europian. Këtë ai duhet ta ngulisë në mëndje dhe besoj e di shumë mirë. Unë kam pas peshëngritësin rumun, që ishte me 200 kg në stilin e shtytjes”, tha Daniel Godelli.

Ndërkohë për cdo arritje sportive, instancat shtetërore duhet të presin rreth 15-20 ditë, për rezultatin e analizave të dopingut, për ta zyrtarizuar rezultatin dhe për të ndarë paratë për secilën medalje, që në bazë të ligjit të shtetit tonë shpërblehet financiarisht.

“Mirë bëjnë që presin. Si nuk dija në 2014-n ça ndodhi, nuk di as sot ça mund të ndodhë. Unë di vetëm që kam qenë i pastër në 2014-n dhe jam i pastër sot”, tha peshëngritësi, kampion Europe

Top Channel