Champions, Juventusi tremb Barçën me Higuain-Dybala

09/04/2017 00:00

Pasi arkivoi më së miri përballjen me Chievon të vendosur nga Gonzalo Higuain, Juventusi tashmë ka krijuar kushtet e duhura për përgatitjen e një ndeshjeje që do të vendosë shumë mbi ëndrrat sezonale për “tripletën”.

Të martën në Torino do të jetë në fushë Barcelona, me të cilën bardhezinjtë do të luajnë një pjesë të mirë të “tortës” së trofeve, me Championsin si më të lakmuarin.

Skuadra e trajnerit Allegri vjen në përballjen me katalanasit në kushtet e duhura, pasi më parë ka arritur finalen e Kupës së Italisë, ka krijuar distancë sigurie me Romën në Serie A, si dhe shkëlqen nga ana psikologjike dhe fizike. Ata që japin më shumë garanci për stafin dhe tifozët janë dy protagonistët në sulm.

Gonzalo Higuain ka shënuar 4 herë në harkun e 3 ditëve, duke shkuar kështu në kuotën e 27 golave sezonalë, asnjë prej të cilëve nuk ka ardhur nga pika e bardhë e penalltisë. Nota tjetër pozitive quhet Dybala. Argjentinasi u bë protagonist me një lojë të bukur të shtunën dhe me asistin për Higuain, një sinkronizim në fushë që përmirësohet nga ndeshja në ndeshje.

Kundër Barcelonës, trajneri i Juventus do të ketë në dispozicion dhe Pjaniç e Mandzukiç, në një tjetër rotacion që nuk ka ndikuar në rezultatet e “Zonjës së vjetër”.

Top Channel