Egjipt, të paktën 40 viktima nga shpërthimet

09/04/2017 00:00

Dy shpërthime që kishin në shënjestër të krishterët koptë të Egjiptit i kanë marrë jetën të paktën 40 personave. Në Aleksandri, në një shpërthim jashtë Kishës kopte të Shën Markut, u vranë 13 persona. Ndërsa në një shpërthim tjetër, më herët, në kishën kopte të Shën Xhorxhit në Tanta, humbën jetën 27 persona.

I ashtuquajturi ISIS thotë se qëndron pas sulmeve. Grupi në fakt ka marrë disa herë në shënjestër koptët e Egjiptit. Katër oficerë policie, përfshirë edhe një femër, janë mes viktimave në Aleksandri.

Kamikazi hodhi veten në erë, pasi policët e kishin ndaluar atë të hynte në kishë. Shpërthimi i parë në Taqnta, 94 km në veri të Kajros, u regjistrua shumë pranë altarit të kishës. Forcat e sigurisë më pas çmontuan edhe dy mjete të tjera shpërthyese në xhaminë Sidi Abdel Rahim, po në Tanta.

Shpërthimet ndërkohë kanë plagosur 78 vetë në Tanta dhe 35 të tjerë në Aleksandri. Sulmet ishin planifikuar të ndodhnin në kohën kur edhe do të shkaktonin pasojat maksimale, pasi njerëzit u mblodhën të shënonin të dielën e palmës, një nga ditët më të shenjta të kalenderit kristian, që kujton hyrjen triumfale të Jezu Krishtit në Jerusalem. Papa Francesku, që pritet të vizitojë Egjiptin më vonë këtë muaj, ka dënuar sulmet.

“Lutem për viktimat dhe të lënduarit, jam pranë familjarëve të tyre dhe gjithë komunitetit”, është shprehur Papa.

Dhuna kundër minoritetit fetar kopt në Egjipt është rritur vitet e fundit, veçanërisht që nga 2013, kur ushtria rrëzoi presidentin e zgjedhur dhe nisi një reprezalje kundër islamikëve. Disa mbështetës të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, fajësonin të krishterët për mbështetjen e rrëzimit të tij. Në shkurt, Shteti islamik, paralajmëroi sulme kundër koptëve, që përbëjnë rreth 10  përqind të popullatës së Egjiptit.

Top Channel