Norvegji, shpërthim i kontrolluar një pajisjeje “bombë”

09/04/2017 00:00

Policia norvegjeze ka shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një pajisje të ngjashme me një bombë artizanale në qendër të Oslos.

Oficerët krijuan perimetrin e sigurisë në zonën Gronland mbrëmjen e së shtunës, përpara se skuadra antieksploziv të shkatërronte pajisjen e dyshimtë.

Zëdhënësi i policisë tha se shpërthimi i kontrolluar ishte gjithsesi i zhurmshëm, ndërkohë që një i dyshuar është marrë në pyetje nga policia.

Forcat e rendit dhe të sigurisë në Norvegji kanë qenë në gjendje gatishmërie që prej sulmit të së premtes në Suedi. Aty ku një kamion kaloi me shpejtësi përmes turmës së këmbësorëve në një rrugë të mbushur me dyqane në qendër të Stokholmit, duke lënë 4 persona të vdekur dhe 15 të tjerë të plagosur.

Sulmi në Suedi ishte më i rëndi që godiste rajonin nordik që prej atentatit të ekstremistit të djathtë, Anders Brevik, që vrau 77 persona në Norvegji në vitin 2011.

Policia suedeze konfirmoi të shtunën se kishin gjetur një pajisje të panjohur në ulësen e shoferit të kamionit të braktisur, të cilën e kanë marrë për shqyrtim.

Ndërsa pajisja e zbuluar në Oslo, sipas policisë mund të shkaktonte vetëm dëme të kufizuara nëse do të kishte shpërthyer. Hetimi për këtë ngjarje i ka kaluar Shërbimit të Sigurisë të policisë norvegjeze.

Top Channel