Suedi, pajisje e dyshimtë në kamionin e sulmit terrorist

08/04/2017 00:00

Policia suedeze ka deklaruar se ka gjetur një pajisje të dyshimtë në kamionin që një ditë më parë vërshoi kundër turmës në një lagje të Stokholmit.

Objekti u gjet në ulësen e shoferit, por nuk dihet ende nëse është një bombë, ka deklaruar komisari i Policisë Kombëtare, Dan Eliasson.

“Është herët për të deklaruar se për çfarë pajisjeje teknike bëhet fjalë, por mund të themi se ajo nuk duhej të gjendej atje”, tha Eliasson.

Ai u shpreh se nuk mund të thotë as nëse bëhet fjalë për një bombë apo material zjarrndjellës. “Ajo që mund të themi është se po zhvillojmë një hetim teknik”, tha komisari.

Zyrtari i lartë tha gjithashtu se i dyshuari i ndaluar është nga Uzbekistani, 39 vjeç dhe person i njohur për shërbimet e sigurisë.

Kamioni i vjedhur prej tij vërshoi në një qendër tregtare në qendër të Stokholmit, duke vrarë 4 persona dhe plagosur 10 të tjerë, mes të cilëve 1 fëmijë. Dy prej të lënduarve ndodhen në terapi intensive.

I dyshuari, emri i të cilit nuk është publikuar, rezulton i njohur për skedarët e strukturave të sigurisë, “por është konsideruar si ‘person i margjinalizuar’”, tha Eliasson.

Ndërsa drejtori i Policisë së Rendit të Suedisë, Anders Thornberg tha se i dyshuari nuk kishte qenë subjekt i hetimeve të policisë, por një person emri i të cilit ishte shfaqur në informacionet e qarkulluara.

Top Channel