Sulmi në Siri, Johnson anulon vizitën në Moskë

08/04/2017 00:00

Sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson ka anuluar vizitën e tij në Moskë, pak ditë pas sulmit me armë kimike në Siri.

Johnson, i cili kishte në plan të udhëtonte në Moskë ditën e hënë, deklaroi se situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe prioriteti i tij është të ngrejë një mbështetje ndërkombëtare për armëpushim në Siri.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar i ka bërë thirrje Rusisë që të bëjë ç’është e mundur për të çuar drejt një marrëveshjeje politike në Siri. “Neve na vjen keq që Rusia vazhdon të mbrojë regjimin e Assad”, tha Johnson.

Shefi i diplomacisë britanike deklaroi gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me homologun amerikan dhe ata të vendeve të tjera për të ndërtuar një mbështetje ndërkombëtare të koordinuar për të arritur armëpushimin.

“Po punojmë për të bërë bashkë sa më shumë partnerë për të eksploruar hapat e ardhshëm”, bëri me dije Johnson.

Ndërkohë, pritet që sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ta vizitojë Moskën sipas planeve, pas samitit të G7-s, më 10 dhe 11 prill.

Top Channel