Një provincë në Kanada vendosi ta pezullojë kodin e veshjes që i diktonte punonjëseve femra mbajtjen e këpucëve me taka të larta.

Administrata lokale e British Kolumbias e konsideron diskriminues një rregull të tillë dhe thotë se për më tepër, ai është i dëmshëm për shëndetin e madje edhe për sigurinë e vetë personit.

Femrat që mbajnë taka të larta rrezikojnë dëmtimet fizike nga rrëshqitjet apo rrëzimet e forta, duke u ekspozuar kështu ndaj mundësisë për lëndime në këmbë dhe shpinë.

Sipas zyrtarëve të British Kolumbias, punonjëset duhet të kenë këpucë të një dizajni, strukture dhe materiali i cili t’i bëjë të ndihen sa më rehat dhe të mos kenë probleme të karakterit të sigurisë individuale.

Një pjesë e mirë e debatit të kodit të veshjes së punonjëseve në Kanada është përqendruar tek industria e restoranteve.

T’i detyrosh femrat të lëvizin në majë të takave në punë është e gabuar, tha kryeministrja e rajonit, Christy Clark. Për këtë arsye vendosëm që të ndryshohet kjo praktikë e pasigurtë dhe diskriminuese, shtoi ajo.

Debatet mbi mbajtjen e takave të larta janë bërë edhe pjesë e festivalit të filmit në Kane, ku dy vjet më parë iu ndalua hyrja disa femrave të veshura me të sheshta.

Top Channel