Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott mendon se vendi ballkanik po afrohet më shumë me Bashkimin Europian sesa me Rusinë.

Ka mjaft zëra që thonë se Beogradi është më pranë kursit të Moskës, por në fakt po ndodh krejt e kundërta, thotë përfaqësuesi i lartë diplomatik amerikan në një intervistë për radion Europa e Lirë.

Serbia, argumenton ai, ka paraqitur një pozicion tjetër, i cili është shumë i qartë.

“Ajo tregon se do që të jetë ushtarakisht neutrale dhe këtë ne e respektojmë plotësisht. Por nga ana tjetër është duke dëshmuar se kërkon të integrohet në BE, proces ky të cilin e përkrahim pa hezitim, pasi mendojmë se është për të mirën e popullit serb dhe për të mirën e mbarë rajonit”, vazhdon ambasadori amerikan.

Protestat që kanë shpërthyer në Serbi kundër presidentit të sapozgjedhur Aleksandar Vuçiç, Scott i përshkruan si një “element shumë të shëndoshë” dhe shenjë të “demokracisë energjike”.

47-vjeçari Vuçiç siguroi 55% tç votave në zgjedhjet presidenciale, duke konfirmuar kështu dominimin mbi këtë shtet, çka duket se i detyrohet gjerësisht politikës së tij të drejtëpeshimit ndërmjet Europës dhe Rusisë.

Ndonëse posti i kreut të shtetit është më së shumti ceremonial, pritet që Vuçiç të emërojë në postin e kryeministrit një aleat të vetin dhe ta transformojë pozicionin e presidentit në një zyrë prej nga mund të kontrollojë jetën politike të vendit me 7.2 milionë banorë.

Top Channel