Befason Atlanta në NBA, mposht kampionët e Cleveland

08/04/2017 00:00

Atlanta shkakton befasinë në ndeshjet e radhës në NBA. Skuadra e Hawks mposhti kampionët e Cleveland në Quicken Loans Arena të Ohios me rezultatin 114-100, një fitore që erdhi menjëherë pas asaj ndaj Boston Celtics.

Edhe pse në parket nuk ishin disa prej lojtarëve titullarë, Atlanta arriti të marrë më të mirën ndaj Cavaliers. Hardaway Jr ishte ai që spikati për Hawks me 22 pikë të  shënuara, ndërkohë që në krahun tjetër 27 pikët e James dhe 15 të Kevin Love shërbyen vetëm për të pasuruar statistikat personale të tyre.

Disfatë pësoi edhe Oklahoma pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të Russell Westbrook. Skuadra e Thunder u mund nga Phoenix në Arizona me rezultatin 120-99 dhe kjo falë 37 pikëve të shënuara nga Booker. Përsa i përket Wesbrook, basketbollisti i Oklahomës ngushëllohet me faktin që arriti të thyejë rekordin e Oscar Robertson të vitit 1962 përsa i përket mesatares për statistikat 2 shifrore të trefishta me 42 të tilla.

Ai që nuk zhgënjeu në këtë mbrëmje ishte San Antonio Spurs. Skuadra e Gregg Popovich arriti të fitojë derbin teksan me Dallas Mavericks në American Airlines Center me rezultation 102-89. Stafi teknik i San Antonios preferoi të bëjë rotacion në këtë ndeshje, megjithatë kjo nuk e pengoi atë të regjistrojë fitoren e 61 sezonale. Basketbollisti më i mirë në parket për San Antonion në këtë ndeshje derbi ishte Bryn Forbes me 27 pikë, kuota më e lartë e shënuar prej tij në karrierë.

Top Channel