ETA po çarmatoset, organizata baske tregon vendin e armëve

08/04/2017 00:00

Pas dekadash të tëra dhune, organizata tashmë e dobësuar separatiste baske, ETA ka nisur dorëzimin e të gjitha armëve të mbetura të saj, duke mbyllur kështu zyrtarisht lëvizjen e fundit kryengritëse në Europë.

Euskadi Ta Askatasuna i kaloi autoriteteve gjyqësore në qytetin jugor francez të Bayonne, inventarin e të gjithë armatimeve të saj dhe vendet ku janë fshehur.

“Çarmatimi do të jetë i plotë dhe i verifiklueshëm. Për këtë do të kemi edhe ndihmën e vëzhguesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Çdo gjë do të kryhet e do të përfundojë në javët në vijim”, tha Jean-Noel Etcheverry.

Zëdhënësi i qeverisë spanjolle Inigo Mendez de Vigo, deklaroi megjithatë se ETA “nuk do të marrë asgjë në këmbim nga shtete demokratike si Spanja”. AI këqrkoi që grupi jo vetëm të çarmatoset, por edhe të tregojë se kush i ka kryer sulmet e tij në të kaluarën.

Organizata e nisi luftën e armatosur gjatë diktaturës së Frankos për pavarësinë e rajonit bask dhe sot konsiderohet përgjegjëse për vrasjen e 829 personave. Përgatitjet për ‘carmatosjen totale’ të saj kanë nisur në fshehtësi prej kohësh. Nga qarqe të nacionalistëve baske u mësua se dorëzimi i armëve kryhet “jashtë Bayonne” në ‘kushte sigurie’.

Kryeministri francez Bernard Cazeneueve është shprehur pas një deklarate të parë të ETA-s më 20 mars se procedura duhet të vazhdojë sipas “rregullave të shtetit juridik”, e kompetent për këtë është departamenti i antiterrorizmit të prokurorisë së Parisit. Policia dhe ekspertët e lëndëve shpërthyese tani janë të gatshëm për mision.

Top Channel