Sulmi në Suedi, arrestohet uzbeku që simpatizonte ISIS

08/04/2017 00:00

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në kryeqytetin suedez pas sulmit tragjik të së premtes, që mori 4 jetë njerëzish e plagosi 15 të tjerë, ndër të cilët edhe fëmijë.

Ishte e njëjta metodë e preferuar tashmë nga ata që po kërkojnë të mbjellin terrorin në Europë: përplasja me kamion mbi këmbësorët e pafajshëm dhe tërësisht jodyshues ndaj asaj që mund ti ndodhë.

Personi i arrestuar mbrëmjen e një dite më  parë duket se është drejtuesi i mjetit e policia nuk përjashton as mundësinë e ndalimeve të tjera. Sipas gazetës suedeze “Aftonbladet”, i prangosuri është një 39-vjeçar nga Uzbekistani, përkrahës i ekstremistëve të Shtetit Islamik. Agresori e kishte vjedhur kamionin në një fabrikë birre e ishte turrur më pas me shpejtësi të lartë në një rrugë qëndrore dyqanesh në Stokholm.

Për kryetarin e bashkisë së qytetit, reagimi i policisë ka qënë i lavdërueshëm e ai i publikut të gjerë gjithashtu.

“Falenderimet e mia më të sinqerta shkojnë për policinë, departamentin e zjarrfikësve, për qytetarët që u kujdesën për njëri-tjetrin, që u hapën shtëpitë e tyre të panjohurve, të cilët nuk kishin mundësi të ktheheshin në banesat e veta. Ky nuk ishte një sulm për ngjyrën tuaj të lëkurës. Ne mund të tregojmë se me një integrim të mirë, me sinqeritet dhe një sjellje miqësore jemi më të fuqishëm e më të bashkuar dhe nuk ka rëndësi se nga vjen. Në Stokholm janë të gjithë të mirëpritur”, ka thënë Karin Wanngarfd, kryebashkiake e Sotkholmit.

Njerëzit ndërkohë janë ende të tronditur. “Është e tmerrshme, sidomos për personat e prekur dhe familjet e tyre. Më rri mendja te fakti që aty mund të kishte qënë dhe familja ime, sepse ndodhi shumë pranë zonave ku njerëzit jetojnë”, thotë Cecilia Hansson, infermiere.

Suedia ka ashpërsuar ndjeshëm kontrollet kufitare. Sipas kryeministrit Stefan Lofven, verifikime shtesë do të kryhen në kufi përgjatë 20 ditëve në vijim, me qëllimin që bashkëpunëtorët e mundshëm të autorit të ngjarjes, të mos largohen dot nga vendi.

Top Channel