Fiks Fare/ Mësuesja u kërkon falje nxënësve për presionin ndaj tyre

07/04/2017 00:00

Në 21 mars disa nxënës të shkollës “16 Shtatori” në Pezë denoncuan në “Fiks Fare” mësuesen Anila Çelmeta. Sipas tyre kjo e fundit i kishte dhunuar fizikisht jashtë institucionit arsimor së bashku me bashkëshortin , ndërsa në ambientet e shkollës kishte ushtruar presion psikologjik.

Nxënësit të frikësuar nga “hakmarrja” të mbështetur edhe nga prindërit kërkuan zgjidhje të situatës duke e bërë publike. Drejtoresha Afërdita Belba u shpreh për Fiks Fare se ishte në dijeni të situatës dhe premtoi ngritjen e një komisioni për të shqyrtuar këtë problematikë e cila sipas saj do të zbardhte të vërtetën.

Fiks Fare pasi priti vendimin e komisionit iu drejtua sërisht institucionit arsimor. Në një intervistë drejtoresha Belba pohoi se mësuesja e kishte pranuar përpara komisionit të etikës faktin e ushtrimit të presionit psikologjik mbi nxënësit, madje ajo u kishte kërkuar ndjesë nxënësve.

Këta të fundit sipas drejtoreshës kishin rënë dakord të falnin mësuesen, ndaj ajo sot vazhdon të japë mësim në këtë shkollë. Belba sqaroi se dhuna e ushtruar jashtë dyerve të shkollës nuk është zbardhur ende nga policia. “Nxënësit e falën mësuesen pasi ajo u kërkoi ndjesë në komisionin e etikës. Mësuesja e pranoi që kishte vepruar keq”.

E pyetur nga Fiks Fare nëse drejtoria mori ndonjë masë ndaj kësaj shkeljeje, znj.Belba u përgjigj se kjo situatë u mbyll. Ndërkohë ajo sqaroi se vazhdimisht në shkollë bëhen pyetësor për t’u njohur nga afër me raportin nxënës-mësues. Fiks Fare kërkoi të takonte edhe znj.Çelmeta, por kjo e fundit refuzoi të fliste përpara kamerës për ngjarjen.

Top Channel