Europiani i peshëngritjes, Qerimaj: E munda Godellin

07/04/2017 00:00

Edhe pse i mësuar me medalje thuajse në të gjitha aktivitetet ku ka marrë pjesë, Erkand Qerimaj shpreh të njëjtat emocione të provuara edhe këtë herë, për rezultatin e arritur në Kampionatin Europian të zhvilluar në Kroaci.

“Vet pesha e përfaqësimit në një kampionat europian, e për më tepër pretendimi për të ngritur flamurin tonë, është një përgjegjësi shumë e madhe psikologjike. Ishte një punë shumë e madhe që kam bërë për të arritur këtë gjë”, tha peshëngritësi Erkand Qerimaj.

Për herë të dytë në këtë Europian, Qerimaj ka pasur në të njëjtën peshë, atë të 77 kg, edhe peshngritësin tjetër shqiptar, Daniel Godelli, fitues i medaljes së artë në stilin e shkëputjes në këtë kompeticion.

Prania e tij në të njëjtën peshë është një motivim dhe sfidë shtesë për Qerimajn, që thekson fitimin e duelit për të dytën herë mes tyre.

“Godelli është një peshëngritës i nivelit të lartë dhe normalisht që për mua është diçka e mirë që është në të njëjtën peshë. Kjo më stimulon të stërvitem më shumë. Gara e tregoi se kush është më i mirë, sikurse edhe në Izrael ku ishte rregulli i peshës trupore, ndërsa këtu ishte pesha e shtangës. Mua më duhej vetëm një kilogram më shumë për të marrë një vend më të lartë se kundërshtari im Godelli, dhe këtë e tregova edhe në garë. Gara është e hapur dhe kush është më i mirë e tregon”, tha më tej Erkand Qerimaj.

Top Channel