Meta: LSI nuk nxit konflikte. Zgjidhje në ditët në vijim

07/04/2017 00:00

Ndërsa krerët e mazhorancës dhe opozitës lëshojnë prej ditësh ftesa reciproke për njëri-tjetrin për t’u ulur në një tryezë dialogu, Ilir Meta përfitoi nga një takim me banorët në Skrapar për t’u bërë një tjetër apel udhëheqësve të politikës.

“Është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje në ditët në vijim. Ne do bëjmë çdo gjë që Shqipëria të ecë në rrugën e stabilitetit, në rrugën e legjitimitetit të institucioneve dhe të paqes sociale. Të gjithë duam paqe sociale në familjen tonë, komunitetin dhe vendin tonë, sepse pa të s’ka as siguri, as arsimim dhe ekonomi më të mirë, dhe as perspektivë për fëmijët tanë në këtë vend”, tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.

Ashtu si në fillimjavë, kur propozoi “qeverinë e besimit” si të vetmen mundësi që palët të ulen bashkë për t’i dhënë fund ngërçit politik të javëve të fundit, edhe njëherë Ilir Meta tha se partia e tij nuk nxit konflikte.

“Mesazhi i LSI-së është mjaft pozitiv dhe këtë mesazh e duan të gjithë shqiptarët. LSI është forcë bashkëpunuese. Të gjithë e kuptojnë që LSI-ja nuk nxit konflikte dhe është e përqëndruar në çështje konkrete, që ndihmojnë të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje në ditët në vijim”, tha Meta.

Ftesat kanë qenë të shumta këtë javë, takimet gjithashtu. Por ende palët mbeten larg një takimi, me orë dhe datë konkrete.

Top Channel