Sfidat e Vuçiç, presidenti i Serbisë kërkon treg të përbashkët rajonal

07/04/2017 00:00

Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të ketë detyrë të mbyllë shumë konflikte të hapura në rajon.

Zgjidhjen e problemeve në Ballkan e ka parë tek ekonomia, duke sqaruar çdo lëvizje jashtë Serbisë në të mirë të një jete më të mirë edhe për qytetarët e tij.

Propozimet e Vuçiçit për krijimin e zonës së përbashkët në pritje të integrimit në BE do të duhej t’i tregonin Perëndimit dëshirën për vetë ndryshim dhe do të forconin ekonomitë.

Por, kjo nga një pjesë kuptohet si rikthimi i Jugosllavisë, historia e së cilës u mbyll përgjakshëm.

Dushan Janjiç, i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, thotë: “Është reale që të vazhdohet procesi i zhvillimit të projekteve të përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të forcohet besimi në mes të komunitetit të biznesit dhe në mes të popullit të thjeshtë, me ndërtimin e autostradave dhe që këto të japin rezultat. Kjo vlen sidomos për marrëdhëniet me Prishtinën dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit. Kjo ide ka shkaktuar dyshime të pritshme”.

Zgjedhjet nuk kanë sqaruar nëse Serbia ka opozitë, por as çështjen kryesore, nga shkon ky vend. “Me një mazhorancë të re do të sqarohej gjithçka. Me këtë tani nuk dihet nëse Serbia shkon drejt Euroazisë, që nuk ekziston, BE-së, për të cilën nuk dihet se kur do të jetë, në izolim apo bashkëpunim rajonal dhe këtë duhet ta bëjë Vuçiçi”, shton Janjiç.
 
Zgjedhja e Vuçiçit President ka lënë të zbrazët hapësirën e kryeministrit dhe titullari nuk dihet për këtë post.

Top Channel