Rusia: Do forcojmë sistemin mbrojtës të Sirisë

07/04/2017 00:00

Rusia premtoi se do të përforcojë mbrojtjen ajrore të Sirisë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës bombarduan dhe shkatërruan një bazë ajrore siriane.

Moska e dënoi ashpër sulmin amerikan dhe më herët u tërhoq nga marrëveshja që shmangte përplasjet mbi qiejt e Sirisë me avionët amerikanë.

Ndërsa nuk pranon që Siria përdori armë kimike, Rusia tha gjithashtu se shumë prej raketave amerikane nuk goditën objektivat, një version i ndryshëm nga ai i dëshmitarëve në terren, që thonë se baza ajrore nga ku u nisën sulmet kimike të së martës, nuk ekziston më.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin e cilësoi sulmin amerikan një “akt agresioni kundër një shteti sovran”, i njëjti term i përdorur edhe nga zyrtarë sirianë, diçka që vë në dukje se askush nuk e quan akt lufte.

Analistët thonë se, pavarësisht kërcënimit rus për të përforcuar mbrojtjen ajrore siriane, kjo zor se do të ketë efekt frenues, nëse Shtetet e Bashkuara planifikojnë sulme të tjera. Rusia ka dislokuar në Siri sisteme raketash tokë-ajër nga më të sofistikuarit dhe radarë me rreze të gjatë veprimi, por për arsye që nuk dihen nuk kanë ndaluar dot asnjë sulm izraelit.

Avionët izraelitë hyjnë e dalin nga hapësira ajrore siriane me lehtësi të madhe dhe bombardojnë pa u shqetësuar dhe ku të duan armiqtë e përbetuar të Hezbollahut, që luftojnë përkrah Bashar al-Assadit, por as Siria dhe as Rusia nuk kanë ngritur gishtin kundër tyre.

Sulmi ndaj bazës “Shayrat” u autorizua nga presidenti Donald Trump në formë raprezjale për sulmet me armë kimike, që regjimi i Assadit kreu ndaj popullsisë civile. Misteri i madh është se cilat janë hapat që do të pasojnë, por kjo mbetet për t’u parë.

Top Channel