OKB, kërkohet rishikimi i misioneve paqeruajtëse

07/04/2017 00:00

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një seancë të hapur për operacionet paqeruajtëse, e thirrur kjo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mban edhe presidencën e radhës së Këshillit.

Takimi u kryesua nga ambasadorja amerikane Nikki Haley, që tha se planifikonte rishikimin e 16 misioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara me qëllim reduktimin e kostove.

“Është fakt se, në shumë raste misionet paqeruajtëse të NATO-s nuk funksionojnë”, tha Haley para Këshillit 15-anëtarësh. Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh në Kombet e Bashkuara dhe paguan 22 për qind të buxhetit prej 5.4 milionë dollarësh të OKB-së, si dhe 28 për qind të buxhetit prej 7.9 miliardë dollarësh për misionet paqeruajtëse të OKB-së.

Por, Sekretari i Përgjitshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duket se nuk është në një mendje me përfaqësuesen amerikane, duke thënë se misionet paqeruajtëse të OKB-së janë një investim për paqen globale, sigurinë dhe prosperitetin.

Në të gjithë botën, “kaskat blu” janë – sipas tij, – shprehja konkrete e përcaktimit të qartë të OKB-së për të ruajtur gjeneratat e ardhshme nga tmerret e luftrave.

Top Channel