“Twitter” sfidon Trumpin, padi kundër qeverisë amerikane

07/04/2017 00:00

“Twitter Inc” paraqiti të enjten një padi për të bllokuar një urdhër të qeverisë amerikane, që i kërkonte asaj të zbulonte se kush qëndron pas një llogarie që kundërshton politikat e ashpra të emigracionit të presidentit Donald Trump.

Duke cituar lirinë e fjalës, si një bazë për të mos iu bindur urdhrit, “Twitter” paraqiti një padi në Gjykatën Federale të San Franciscos dhe tha se llogaria “@ALT_uscis” pretendohet të menaxhohet nga të paktën një punonjës federal i Emigracionit.

Akronimi “Cis” i referohet shërbimeve amerikane për Shtetësi dhe Emigracion dhe llogaria e përshkruan veten si rezistencë e emigracionit.

Trump ka premtuar se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe se do të deportojë miliona emigrantë të paligjshëm.

Pas betimit të tij në janar, postime anonime në “Twitter” që huazonin emra dhe logo të dhjetëra agjencive qeveritare amerikane, u duk se sfidonin këndvështrimet e presidentit mbi ndryshimet klimatike apo çështje të tjera.

Një zëdhënës i “Twitter”-it refuzoi të komentonte nëse qeveria kërkonte informacione për llogari të tjera kritike ndaj Trumpit.

Top Channel