Sipërmarrësit e Parisit, banket për 500 refugjatë të pastrehë

07/04/2017 00:00

Bizneset franceze në lagjet e varfra të Parisit organizuan një banket të enjten për më shumë se 500 refugjatë dhe emigrantë të pastrehë në kryeqytet.

Sipërmarrës nga rajoni Seine-Saint-Denis në veri të Parisit mbështetën një fondacion që lufton papunësinë në lagjet e varfra franceze, për të përgatitur dhe shpërndarë mbi 500 vakte për emigrantët pranë një kampi me tenda.

Organizatorët krijuan një atmosferë festive për banketin, me muzikë dhe kërcime, si pjesë e nismës “Uniteti e bën Francën”.

Pas mbylljes së kampit të njohur si “Xhungla” në Calais (Kalè) në tetor, numri i emigrantëve që flinin nëpër rrugët e Parisit u rrit me të paktën një të tretën. Shumë kampe me çadra filluan të shfaqeshin në Paris, nën linjat e metrosë, ose në pika të tjera të qytetit.

Një nga këto kampe ishte ngritur në afërsi të stacionit të metrosë “Stalingrad” dhe mbante më shumë se 3.000 emigrantë, shumica të ardhur pas shkatërrimit të “Xhunglës”. Por edhe këtu ndërhyri policia në fillim të nëntorit.

Një kamp i financuar nga shteti, i njohur si “La Bulle”, u hap në nëntor me rreth 400 shtretër në Port de la Chapelle në Parisin verior, pranë vendit ku u organizua banketi, e tani është shndërruar si një vendstrehim për emigrantët që qëndrojnë edhe nën qiell të hapur, në pritje të lirimit të një vendi brenda tij.

“La Bulle” ofron strehë emergjence për një periudhë të shkurtër, derisa emigrantët të zhvendosen në vende të tjera.

Top Channel