Afron Bayern-Real, për bavarezët të gatshëm të gjithë yjet

07/04/2017 00:00

Tifozët e Bayern Munchen mund të marrin frymë lirisht. Manuel Neuer, Robert Lewandowski dhe Thomas Muller do të jenë në dispozicion të Carlo Ancelottit për ndeshjen çerekfinale të Champions League ndaj Realit të Madridit.

Është vet tekniku italian që e konfirmoi këtë lajm, gjatë një konference për shtyp në prag të supersfidës me Borussia Dortmund në kampionat.

Portieri Neuer po riaftësohet me ritme të shpejta dhe qëndroi për një orë në stërvitje. Megjithatë, ai nuk do të jetë i pranishëm në sfidën e së shtunës, për të qenë edhe më në formë për përballjen me Realin.

Neuer është një garanci për portën e Bayernit dhe këtë e tregojnë statistikat e tij. Në 25 ndeshje të Bundesligës, ai ka pësuar vetëm 13 gola, ndërsa në 7 ndeshje të Championsit ka pësuar vetëm 5.

Pothuajse e njëjta histori edhe me Thomas Muller, që pritet të aktivizohet në përballjen me kampionët në fuqi të Europës. Por alarmin më të fortë ditët e fundit e lëshoi Robert Lewandowski, alarm që në fund rezultoi fals.

Sulmuesi polak, që e braktisi seancën stërvitore të së enjtes, u bashkua me pjesën tjetër të skuadrës duke u stërvitur normalisht. Kjo do të thotë se prania e Lewandowskit në përballjen me Realin është e sigurtë.

Top Channel