Dhuna shtyn finalen; Basketbollistët: Faji i organizatorëve

07/04/2017 00:00

Dhuna e shfaqur në parketin e “Asllan Rusi-t” në prag të sfidës mes Tiranës dhe Vllaznisë në Superkupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka lënë një shije shumë të hidhur të basketbollistët e të dyja skuadrave, të cilët i kanë drejtuar kritikat e tyre në drejtim të policisë dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit si përgjegjëse e organizimit të kësaj ndeshjeje së dështuar.

“Më vjen keq për atë që ndodhi, por përgjegjësia nuk është as e jona dhe as e Vllaznisë pasi nuk jemi ne organizatorët. Në një sallë ku ishin rreth 2000 tifozë dhe shumica e tyre ultras të Tiranës dhe Vllaznisë, nuk mund të jenë 10-15 polic”, shprehet Gerti Shima, Basketbollist i Tiranës.

“Policia bëri më të mirën të mundshme për të zgjidhur sa më shpejt situatën, por nuk ishte e mjaftueshme. Shpresojmë që herën tjetër gjerat të shkojnë më mirë”, thotë Darryl Palmer, basketbollist i Vllaznisë.

“Gjithçka shkoi mirë, e falenderoj policinë që na siguroi. Nuk kishte asnjë problem me lojtarët. Gjithçka ishte mes tifozerive të dy skuadrave”, tha Seth Jackson, basketbollist i Vllaznisë.

Sipas Shimës dhe gjyqtarëve ndeshja mund të luhej sic ishte e parashikuar ditën e enjte, pasi policia mori nën kontroll situatën dhe garantoi vijueshmërinë, por Federata e Basketbollit ka vendosur që të luhet ditën e hënë në orën 18:00 në Durrës pa tifozë.

“Pyeta gjyqtarët dhe ata po prisnin që Vllaznia të kthehej për të vazhduar lojën, por më pas nuk e di se kush e mori vendimin për ta shtyrë ndeshjen sepse situata u qetësua”, thotë Gerti Shima, basketbollist i Tiranës.

Top Channel