Frikë nga xhihadistët, kontrolle në Shengen

07/04/2017 00:00

Në zonën e Shengenit do të ketë kontrolle më të rrepta të pasaportave. Qëllimi është që të forcohen verifikimet për xhihadistë që mund të kthehen nga Lindja e Mesme.

“Deutsche Welle” thotë se në Gjermani do të preket edhe qarkullimi i udhëtarëve në aeroporte dhe në portet detare. Rregulli i ri i detyron shtetet anëtare të Shengenit që sapo të kalohet një kufi i jashtëm i tij, t’i krahasojnë të dhënat që kanë me listat e personave në kërkim. Informacionet e individëve që hyjnë e dalin do të krahasohen edhe me listën e dokumentave të humbura apo të vjedhura.

Ashpërsimi i kontrolleve në kufijtë e jashtëm të kësaj zone hyn në fuqi nga e premtja. Nga ky moment, do të jetë i detyrueshëm verifikimi sistematik i të gjithë personave që lëvizin, pra edhe i shtetasve të BE-së, vendet e të cilëve bëjnë pjesë në hapësirën e Shengenit.

Nisma u mundësua nga një ndryshim i Kodit Kufitar të Shengenit, vendimi për të cilin u mor përfundimisht në 15 mars, pas konsultimesh të zgjatura. Për masën u ra dakord shkurtin e vitit të kaluar nga ministrat e Brendshëm të bllokut europian. Ideja është t’iu pengohet luftëtarëve  xhihadistë që kanë pasaportën e një shteti anëtar të Shengenit, mundësia e kthimit nga Siria dhe Iraku pa u njohur.

Po kështu, janë ashpërsuar udhëzimet për t’i kontrolluar edhe në dalje personat nga shtete pa leje për udhëtim të lirë, të cilët, deri tani, verifikoheshin vetëm në hyrje.

Top Channel