Grekët, në radhë për pagesën me këste të energjisë elektrike

06/04/2017 00:00

Në radhët e gjata pranë pikave ku kryen pagesat e energjisë elektrike në Greqi, gjen tashmë çdo ditë e më shumë qytetarë që duan të paguajnë me këste për arsye të pamundësisë ekonomike.

Sipas satistikave të fundit, 40% e grekëve nuk mund të paguajnë energjinë elektrike dhe vonojnë pagesat, pasi janë gjunjëzuar nga kriza. Lajmi tashmë publikohet edhe në mediet e huaja, me titullin “Shekulli i errësirës së Greqisë”.

“Siç e shihni, kemi vënë disa llamba me të cilat gati po verbohemi, pesë vatëshe ose dy vatëshe. Ndezim dushin vetëm 5 minuta sa të vaket uji, në mënyrë që të mos rritet llogaria e energjisë”, tha Kostas Argyros.

Më shumë se 625 mijë persona apo subjekte që nuk kanë shlyer llogarinë me vlerë prej 1.3 mld eurosh kanë përfituar nga lehtësimi që ka krijuar kompania shtetërore e energjisë, për të paguar me këste detyrimet, ndërsa mijëra të tjerë presin të përfitojnë, por tashmë shuma totale që grekët i detyrohen këtij shërbimi shkon në 2.6 mld euro.

“Shuma e pagesës që dua të bëj me këste është e papërfillshme, flasim vetëm për 319 euro. Por një familje në këtë gjendje bën përpjekje të mbijetojë. Këstet do të më ndihmonin shumë, por fatkeqësisht nuk më pranuan”, tha Konstandinos Sarafis, pensionist.

Një fenomen gjithnjë në rritje është tashmë edhe vjedhja e energjisë, sidomos në lagjet e varfëra. Një nga mënyrat, sipas përfaqësuesve të kompanisë, është ajo me magnet, e cila ngadalëson matësit e energjisë.

Nga 4.470 raste të konstatuara në vitin 2012 , vjet janë regjistruar 10.600 të tilla dhe kjo humbje përllogaritet në 500-600 mln euro në vit. Pothuajse çdo javë ka protesta nga qytetarë që nuk paguajnë, ose që vonojnë pagesat, shumica e të cilëve janë nga familjet e pensionistëve që kanë vuajtur 13 herë reduktime të pensioneve në 7 vitet e fundit, si dhe të të papunëve që tashmë janë 23.3% e popullsisë aktive në vend.

Top Channel