Barça, “prova e zjarrit” për “tripletën” e Juves

06/04/2017 00:00

Gjysmëtitulli në xhep, finalja e Kupës së Italisë e arritur tashmë dhe Champions League me mundësi reale. Juventusi po i afrohet sprintit përfundimtar të sezonit futbollistik europian, me ëndrrën e një “triplete” ende të pathyer, pavarësisht vështirësive dhe oshilacioneve, me tifozët bardhezi që shpresojnë që deri në qershor, në muzeun e klubit të shtohen 3 trofe.

Ndaj Napolit këtë mesjavë, loja ishte e mirë për thuajse një orë, por ai që u tregua më efikas, Gonzalo Higuain fitoi me meritë kopertinat, ashtu siç kishte bërë kur Juventusi e bleu nga Napoli. Mjaftuan kështu 3 ditë, që “Zonja e vjetër” të vendoste një tjetër gur në murin që e çon te titulli i 6 radhazi, si dhe e afron më shumë me finalen e 3 radhazi në Kupën e Italisë.

Dy transfertat ndaj Napolit tashmë janë lënë pas, por kundër Barcelonës në kupën “me veshë të mëdhenj” do të duhet më shumë impenjim, e mbi të gjitha personalitet. Katalanasit mbjellin “terror” në mbrojtjet kundërshtare, por në prapavijë kanë shumë të çara që mund të rezultojnë fatale në Champions.

Numërimi mbrapsht ka nisur, por nëse në Itali është diçka më e lehtë në këto dy muaj, në Europë, Juventusi luan gjithçka, përfshi një vend në historinë e futbollit në rastin e “tripletës” eventuale.

Top Channel