Bastisjet në Shën Pjetërburg, gjendet një pajisje shpërthyese

06/04/2017 00:00

Një mjet shpërthyes është asgjësuar në një apartament në Shën Pjetërburg nga ana e policisë ruse, 3 ditë pasi një agresor në metronë e qytetit u mori jetën 13 personave.

Një zyrtar lokal tha se disa të dyshuar ishin arrestuar, pasi policia hyri në apartament mëngjesin e së enjtes. Fqinjët u larguan dhe dëshmitarët thanë se 3 persona u nxorën me pranga në duar.

I dyshuari si autor i sulmit në metro, Akbarzhon Jalilov vdiq në sulm. 22-vjeçari nga Republika e Kirgizstanit u identifikua nga prindërit e tij të mërkurën.

Apartamenti në Shën Pjetërburg u kontrollua rreth orës 5 të mëngjesit të së enjtes dhe policia konfirmoi gjetjen dhe asgjësimin e mjetit shpërthyes.

Hetuesit, ndërkohë, po ekzaminojnë lidhjet e mundshme mes të arrestuarve dhe autorit të dyshuar për sulmet në metro. Dëshmitarët thanë se, të arrestuarit ishin nga Azia Qendrore. Vet Jalilov kishte marrë me qira një apartament në veri të qytetit të dytë më të madh në Rusi.

Zyrtarët rusë nuk u janë referuar arrestimeve të fundit, por thanë se ata kanë arritur në përfundimin se disa qytetarë nga republikat e Azisë Qendrore kishin qenë në kontakte me Jalilov.

Gjatë kontrolleve në apartamentin ku ai jetonte, hetuesit thanë se kishin gjetur prova domethënëse për hetimin. Tetë vetë nga Azia Qendrore u arrestuan në Shën Pjetërburg një ditë më parë, si pjesë e hetimit për bombën në metro. Hetuesit thanë se ata ishin ndaluar nën akuzat për rekrutim, për llogari të grupeve militante islamike si Shteti Islamik dhe Jabhat al-Nusra që prej vitit 2015 dhe kishin kryer krime të natyrës terroriste.

Top Channel