Rusi, pritet vendimi gjyqësor ndaj “Dëshmitarëve të Jehovait”

06/04/2017 00:00

Gjykata Supreme në Rusi do të vendosë nëse organizata fetare “Dëshmitarët e Jehovait” është ekstremiste apo jo. Kjo, pas një kërkese të Ministrisë së Drejtësisë për të mbyllur zyrat e grupit në afërsi të Shën Pjetërburgut.

Ministria e Drejtësisë e ka vendosur organizatën në një listë të grupeve ekstremiste. Rreth 8 milionë njerëz në të gjithë botën janë pjesë e lëvizjes me rrënjë të krishtera, e cila shkon derë më derë në kërkim të të konvertuarve të rinj.

Vetëm në Rusi, grupi ka 175 mijë anëtarë dhe 395 degë në të gjithë vendin. Ndërsa seancat dëgjimore nisën në Moskë të mërkurën, avokatët që përfaqësonin lëvizjen paraqitën një kundërpadi, në të cilën i kërkonin Gjykatës së Lartë t’i shpallte pjesëtarët e saj “viktima të shtypjes politike” dhe veprimin e Ministrisë së Drejtësisë të paligjshëm.

Gjykata vendosi se kjo nuk ishte pjesë e juridiksionit të saj, pa saktësuar se kujt i takonte trajtimi i kësaj kundërpadie. Ministria argumenton se aktivitetet e “Dëshmitarëve të Jehovait” shkelin ligjin rus për luftën kundër ekstremizmit dhe pamfletet e tyre nxisin urrejtje kundër grupeve të tjera.

Në një prej pamfleteve citohet madje novelisti Leo Tolstoy, që e përshkruan doktrinën e Kishës Ortodokse Ruse si supersticioze. “Dëshmitarët e Jehovait” janë themeluar në SHBA në fund të shekullit të XIX dhe gjatë regjimit të Stalinit në Bashkimin Sovjetik ishte e jashtëligjshme.

Mijëra pjesëtarë të tij u deportuan në Siberi. Grupe të tjera të krishtera po ashtu janë përndjekur. E ndërsa Bashkimi Sovjetik u shpërbë, pati një rilindje të Krishtërimit në Rusi dhe “Dëshmitarët e Jehovait” nuk ishin më të jashtëligjshëm që nga viti 1991.

Qëndrimi ndaj “Dëshmitarëve të Jehovait” erdhi duke u ashpërsuar dhe në vitin 2004, një grup u ndalua nën akuzat për rekrutim fëmijësh dhe se pengonin besimtarët të merrnin ndihmë mjekësore. Dëshmitarët i binden verbërisht Biblës dhe refuzojnë transfuzionet e gjakut. Ata nuk konsiderohen nga kishat tradicionale të krishtera si degëzime të tyre.

Top Channel