Melania “e ndrojtur” përgatitet për “debutimin” kinez

06/04/2017 00:00

Zonja e Parë amerikane, Melania Trump do ta gjejë veten përpara prozhektorëve këtë javë, ndërsa ajo dhe bashkëshorti do të presin presidentin kinez Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij, Peng Lijuan, për një vizitë në resortin e golfit të presidentit Donald Trump, në Florida.

Vizita dyditore në “Mar a Lago” do të jetë edhe takimi i parë i Trumpit si president me homologun kinez. Trump ka kritikuar praktikat tregtare të Kinës gjatë fushatës së tij elektorale, por tani çifti do të darkojë së bashku dhe zonjat e para do të kenë një axhendë të tyren, edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje.

Melania Trump, një modele e lindur në Slloveni, ka ruajtur një profil të ulët muajt e parë të presidencës së të shoqit, krahasuar me zonjat e para të mëhershme. Ajo nuk është vendosur ende në Shtëpinë e Bardhë e po qëndron në Nju Jork, derisa djali i saj Barron të përfundojë vitin shkollor.

Por, ajo ka pritur bashkëshortet e udhëheqësve të huaj që kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë, mes të cilave bashkëshorten e kryeministrit japonez dhe atë të kryeministrit izraelit.

Si Zonja e Parë e Kinës, Peng Lijuan, ashtu dhe Melania janë të njohura për sensin e tyre për modën dhe elegancën. Peng është një ish-këngëtare e ushtrisë dhe është shumë popullore në Kinë. Ajo ka qenë një avokate e edukimit rural dhe rritjes së ndërgjegjësimit për AIDS-in.

Top Channel