Votoi Trumpin, i dëbuan burrin meksikan

06/04/2017 00:00

Deportimet në Amerikë nuk po kursejnë askënd dhe këtë, një mbështetëse e Donald Trumpit, e provoi në kurriz. Bashkëshorti i saj, emigranti meksikan pa dokumente të rregullta qëndrimi, Roberto Berinstain, është riatdhesuar duke lënë pas të shoqen dhe tre fëmijë të vegjël.

Për 43-vjeçarin dhe të shoqen, kjo ishte një rrufe në qiell të hapur. Pavarësisht retorikave të Trumpit, kundër emigracionit të paligjshëm në kohën e fushatës, të dy ata ishin të bindur se nisma e miliarderit republikan nuk do të prekte emigrantët pa precedentë penalë. Berinstain jetonte në Indiana. Ishte pronar i një restoranti të vogël mishi, ku dhe punonte në mënyrë të ligjshme.

“Mua më është dhënë numri i sigurimeve shoqërore, leja për të punuar dhe patenta e drejtimit të automjetit, e prapë isha i paligjshëm. Kur shkova të ripërtërija lejen e punës, ma hoqën fare e më folën për një urdhër deportimi. U thashë se e kam zgjidhur këtë problem, por më dërguan në Zyrën e Emigracionit. E dinin që unë rezultoja ilegalisht në këtë vend e prapë më dhanë dokumenta e tani m’i hoqën sërish. Ma bënë të qartë se nuk gëzoja asnjë të drejtë dhe se do të dëbohesha”, tha Berinstain. 

Sipas raporteve, Beristain e kishte tërhequr fillimisht vëmendjen e zyrtarëve kufitarë në vitin 2000, gjatë një udhëtimi me familjen në Kanada. Asokohe u theksua se ishte në SHBA pa dokumenta të rregullta dhe iu dha një urdhër dëbimi vullnetar. Por, zbatimi i tij do të vinte dy dekada më vonë. 43-vjeçari u la në qytetin kufitar meksikan të Ciudad Juarez, ku nuk ka as miq e as të afërm.

Familja ka nisur tashmë një peticion “online” ku kërkohet kthimi i Robertos në Amerikë me shpresën se presioni i krijuar do t’i detyrojë autoritetet ta rishikojnë rastin e tij.

Top Channel