NBA, Cleveland rimerr kreun e Lindjes

06/04/2017 00:00

Cleveland Cavaliers rimerr kreun e renditjes në Konferencën e Lindjes në kampionatin e NBA.

Skuadra nga Ohajo fitoi sfidën direkte me Boston Celtics në “TD Garden” me rezultatin 114-91, një sfidë kjo fatin e së cilës Cavaliers e vendosi në periodën e dytë dhe të tretë, kur krijoi edhe një diferencë prej 24 pikësh me Celtics. LeBron James ishte i pandalshëm në këtë përballje, të cilën e mbylli me 36 pikë, 10 topa në tabele e 6 asist. Dhanë kontributin e tyre edhe Irving me 19 pikë e Kevin Love me 15. Për Bostonin, Thomas shënoi 26 pikë, por që nuk i shërbyen aspak skuadrës së tij.

Surprizën e mbrëmjes në NBA e bëri Los Angeles Lakers, që mposhti San Antonio Spurs me rezultatin 102-95. Në “AT&T Center” të Teksasit, skuadra kaliforniane arriti të gjunjëzojë një prej skuadrave më të mira të NBA, duke i shkaktuar asaj humbjen e 18 sezonale. Lakers zhvilloi një periodë të parë perfekte, të cilën e fitoi 31-14. Një avantazh të cilën kalifornianët ditën ta administrojnë mjaft mirë, ndoshta edhe duke përfituar nga fakti që Popovich në pjesën e dytë la pushim dy elementët më të mirë: Leonard dhe Aldridge.

Në ndeshjet e tjera, Golden State mundi Phoenix 120-111 falë 42 pikëve të Stephen Curry, Houston fitoi me Denver 114-110, ku ai që shkëlqeu ishte James Harden me 31 pikë, ndërsa Oklahoma mposhti Memphis 103-100, ku Russell Westbrook shënoi 45 pikë.

Top Channel