Sulmi me gaz, Trump: Assad nuk do të tolerohet më

05/04/2017 00:00

“Siria është tani përgjegjësia ime”, deklaroi Donald Trump pas sulmit kimik të së martës në veri të këtij vendi, që vrau 52 të rritur dhe 20 fëmijë. Një veprim i tillë, sipas presidentit amerikan shkeli shumë vija dhe ndryshoi mënyrën sesi e sheh ai Sirinë dhe udhëheqësin e saj Bashar al-Assad.

“Një sulm aq i tmerrshëm kundër njerëzve të pafajshëm, grave, fëmijëve, foshnjave është një shuplakë për njerëzimin”, u shpreh Trump. “Aktet e neveritshme të regjimit të Assadit nuk mund të tolerohen”, shtoi ai, duke mos ngurruar të godasë edhe paraardhësin e vet.

“Mendoj se administrata e Obamës pati një mundësi të jashtëzakonshme për ta zgjidhur krizën shumë kohë më parë, atëherë kur foli për atë ‘vijën e kuqe’ në rërë. Dhe kur nuk e shkeli vijën pas lëshimit të atij kërcënimi, na ktheu shumë prapa, jo vetëm në Siri, por edhe në pjesë të tjera të botës”, tha Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk përmendi nga ana tjetër aleaten më të ngushtë të Damaskut, Rusinë, që pretendon se gazi mund të jetë lëshuar nga armët kimike të rebelëve, pasi depoja e tyre u godit prej avionëve sirianë.

Por ambasadorja e Amerikës në OKB, Nikki Haley e akuzoi hapur Moskën se po mbulon regjimin sirian, e tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të njëanshme, nëse bota nuk vepron. Edhe kreu i Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson lëshoi mesazhin se Rusia duhet ta shohë me kujdes çështjen e Sirisë.

“Për ne nuk ka dyshime se përgjegjësia e këtij sulmi të tmerrshëm rëndon mbi regjimin sirian të drejtuar nga Bashar al-Assadi. Ndajmë bindjen se është koha që rusët ta mendojnë me shumë kujdes mbështetjen e tyre të vazhduar për qeverinë e Assadit”, tha Rex Tillerson, Sekretar Shteti.

Top Channel