Skënderbeu kërkon Kupën, por nuk dorëzohet në Superligë

05/04/2017 00:00

Skuadra që ka dominuar futbollin shqiptar në vitet e fundit e sheh veten larg titullit kampion me 5 pikë larg ndjekësve. Por edhe pse nuk është dorëzuar ende në garën për Superligën, Skënderbeu ka përpara vetes një tjetër ndeshje që do të vendosë fatet e sezonit.

Pak rëndësi ka nëse është synim që prej muajsh apo ngushëllim për dështimin eventual. Skuadra e trajnerit Ilir Daja kërkon të hipotekojë finalen të mërkurën ndaj Teutës.

“Çdo ekip që arrin në gjysmëfinale duhet respektuar për vetë rrugëtimin që ka bërë. Kupa do zgjidhet pas 180 minutash, por ne duhet të bëjmë një hap të sigurt nesër, që ndeshjen e fundit ta kemi më të lehtë”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Disfata e fundit ndaj Partizanit ka lënë shenjë në klimën e Skënderbeut, por trajneri ilir Daja mbështetet te loja e mirë në “Selman Stërmasi”, si motivim për pikët e mbetura deri në fundin e sezonit.

Ngërçi ka qenë vetëm në drejtim të rezultateve, sepse edhe ekipi vetë dhe lojtarët, por edhe mbarë opinioni sportiv ka qenë pro lojës që kemi bërë ndaj rivalit direkt në ndeshjen ndaj Partizanit. Nuk ka pse lëkundet gjendja psikologjike, por ajo që duhet bërë për të qenë të motivuar maksimalisht, pasi ashtu siç bëmë edhe me Partizanin bëjmë edhe nesër në Kupë”, shprehet Daja.

Ndërkohë ndeshja e parë gjysmëfinale në kupën e Shqipërisë mes besëlidhjes dhe Tiranës u mbyll në barazim 1-1, rezultat që shton shpresat e lezhjanëve për të fituar një trofe që as nuk e kishin ëndërruar në startin e sezonit.

Mervejl i dha bardhebluve epërsinë me një gol nga distanca por Besëlidhja nuk e vonoi përgjigjen duke barazuar me mesfushorin Marashi në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Zeqir Ymeri” të Kukësit, pasi fusha e Lezhës nuk u pranua nga FSHF. Gjysmëfinalja e kthimit të kupës do të luhet në 19 prill.

Top Channel