Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, njëkohësisht kryetar i Komisionit të tij të Politikës së Jashtme, David McAllister u tha medieve gjermane se Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian derisa të pranojë krimet e kryera në Kosovë.

Politikani gjerman nga radhët e CDU-së tha për “Neue Osnabrücker Zeitung” se, kjo dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve të Kosovës janë detyrat e Beogradit përpara aderimit.

“Derisa ato të përmbushen, rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është shumë e largët”, citohet të ketë thënë eurodeputeti gjerman.

Ballkani vazhdon të tërheqë vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Artikulli më i fundit i kushtuar situatës së tij vjen nga gazeta “Suedwesstpresse”, e cila thekson se tensionet në rajon do të ishin përshkallëzuar me kohë në konflikte të armatosura, po të mos ishte për praninë e NATO-s dhe të Bashkimit Europian këtu.

Në të njëjtin shkrim ka edhe referime ndaj raporteve të Serbisë me Kosovën. Gazeta përcjell bindjen se do të ishte një veprim tepër konstruktiv, nëse Beogradi do ta njihte mëvetësinë e Kosovës, 10 vite pas shpalljes së saj shtet i pavarur. “Ka një dekadë që dialogu me Kosovën po dremit, – shkruan ajo. – E për sa kohë Serbia nuk pranon ta njohë pavarësinë, zor se do të bëhet anëtare e BE-së”.

Top Channel