Sanksione ndaj Maqedonisë? Analistët: SHBA-BE, drejt masës ekstreme

05/04/2017 00:00

“Pas kulaçit, kërbaçin”. Apelet e Shteteve të Bashkuara dhe bllokut europian vazhdojnë të injorohen nga udhëheqësit maqedonas. Por nëse politikanët e atjeshëm do të bllokojnë në vazhdimësi krijimin e qeverisë së re, rrezikojnë të përballen me një kthesë radikale të qëndrimit të Uashingtonit dhe Brukselit.

Ideja e sanksioneve u lakua edhe përpara mbërritjes së Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, në Shkup, një tjetër vizitë e pasuksesshme sa i takon bindjes së kreut të shtetit maqedonas për t’i dorëzuar udhëheqësit të opozitës mandatin e krijimit të qeverisë.

Ekspertët tani thonë se, gjasat për masa të tilla janë vërtet të mëdha, por ku do të konsistojnë ato saktësisht?

Profesori i Shkencave Politike, njëherazi diplomat me përvoje, Gjorgi Spasov tha për “Balkaninsight” se, pasi SHBA-të dhe BE-ja të shterojnë çdo mundësi për ta shtyrë Ivanovin dhe Nikola Gruevskin drejt zgjidhjes së krizës, që të dy ata mund të bëhen subjekte të ndalimit të udhëtimit drejt Amerikës dhe ngrirjes së aseteve të veta e të bashkëpunëtorëve politikë.

Si presidenti i Maqedonisë, ashtu edhe kreu i VMRO-DPMNE-së rrezikojnë të përballen me hetime ndërkombëtare për shpërdorim të fondeve të BE-së, e madje Spasov mendon se mund të ketë edhe verifikime për përfshirje në krimin ndërkombëtar.

Përpos kësaj, Gruevski, partia e të cilit ka qenë në pushtet që prej vitit 2006, do të ndeshet me presionin e PPE-së, që të japë dorëheqjen nga drejtimi i VMRO-së, në të kundërt forca politike mund të përjashtohet nga radhët e Partive Popullore Europiane.

Sipas ish-ambasadorit maqedonas në Austri, Georgi Filipov, deklaratat e Tuskut në përfundim të vizitës së tij në Shkup, edhe pse nuk tingëlluan shumë të ashpra, duhen perceptuar si një paralajmërim serioz ndaj Ivanovit, sepse tregojnë që blloku me shumë gjasa nuk do ta tregojë tashmë pakënaqësinë e tij vetëm me fjalë.

Top Channel