Debati francez, Le Pen akuzohet nga të gjitha palët

05/04/2017 00:00

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen është sulmuar ashpër nga të gjitha palët në debatin e dytë televiziv mes 11 kandidatëve për president.

Kandidati i qendrës, Emmanuel Macron u shpreh se propozimet nacionaliste të Le Penit do të sillnin një “luftë ekonomike”. Por ajo u akuzua edhe nga e djathta, për shkak se nuk ka qenë aq e ashpër sa duhet mbi anëtarësimin e Francës në BE. François Fillon tha se Franca ka shumë nevojë për Europën, kur bëhet fjalë për ballafaqimin me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.

Le Pen, udhëheqëse e Frontit Nacional, premtoi të rikthejë kontrollin e kufijve të Francës dhe heqjen e monedhës së përbashkët europiane, Euro, madje edhe të mbajë një referendum për anëtarësinë në BE.

Duke folur në krah të 10 kandidatëve të tjerë, në momentin që gjërat dukej se po nxeheshin në debatin e dytë nga 3 të tillë që do të zhvillohen përpara presidencialeve franceze, Le Pen tha se presidenca e saj do të përmirësonte jetët e qytetarëve francezë.

Franca zhvillon raundin e parë të votimit më 23 prill. Për sa kohë që një kandidat nuk fiton mbi 50 për qind të votave, dy pretendentët kryesorë që do të grumbullojnë më shumë vota do të përballen në balotazhin e 7 majit.

Macron, tashmë në pozitat e pretendentit, akuzoi Le Penin se po gënjente dhe tha se “nacionalizmi është një akt lufte”. “Ju po na tregoni të njëjtat gënjeshtra që kemi dëgjuar nga babai yt për 40 vite me radhë”, tha ai.

Le Pen, e cila u kritikua edhe nga kandidati konservator Fillon, u përgjigj se “askush nuk mund të presë diçka të re nga dikush që flet si të ishte mbetje fosile, të paktën 50-vjeçare”.

Ndërkohë, nacionalisti i krahut të djathtë, François Asselineau pretendoi se ai ishte i vetmi kandidat i vërtetë për “Frexit”-in, si dhe premtoi të aktivizonte nenin 50 të Traktatit të Lisbonës menjëherë pasi të fitonte zgjedhjet presidenciale. Një proces i ngjashëm ky me “Brexit”-in për të shkëputur edhe Francën nga BE-ja.

E ndërsa fokusi u kthye te siguria, Le Pen tha se Franca është kthyer në një “universitet për xhihadistët”, duke shkaktuar reagime të ashpra nga kandidatët e së majtës.

Sondazhet tregojnë se Le Pen dhe Macron do të përballen së bashku me balotazhin e majit. Gjithsesi, debati i së martës i dha 63-vjeçarit Fillon një mundësi për të ngushtuar diferencat me udhëheqësit. Fillon ishte pretendent në fushatë, deri kur u godit nga skandali i “punëve të rreme” dhe u vendos nën hetim formal. Ai akuzohet se ka paguar qindra mijëra euro për familjarët e tij, për punë që nuk i kanë bërë kurrë.

Sipas sondazheve, ai renditet i treti në raundin e parë, një pozicion që do ta eliminonte atë nga gara për president.

Top Channel