Vendimi ndaj Haradinajt mund të shtyhet sërish

05/04/2017 00:00

Gjykata e Apelit në Colmar të Francës, e cila pritej të vendoste më 6 prill fatin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, mbi ekstradimin ose jo në bazë të kërkesës së Serbisë, me shumë mundësi mund ta shtyjë sërish vendimin.

Lajmi njoftohet nga mediet serbe, për të cilat ka folur gjatë së martës zëdhënësja e gjykatës, Sandra di Rosa.

Seanca e së enjtes do të adresonte përgjigjet e Ministrisë serbe të Drejtësisë për të gjitha pyetjet që ka gjykata franceze, shpjegoi Di Rosa.

E pyetur se çfarë mund të pritet në përfundim të kësaj seance, ajo tha se dhoma hetuese e gjykatës me shumë mundësi do ta shtyjë vendimin deri në një seancë tjetër dëgjimore.

Rreth dy javë më parë, Ministria serbe e Drejtësisë dërgoi përgjigjen e disa pyetjeve shtesë të bëra nga gjykata. Përgjigjet u dhanë nga zyra e prokurorit për krimet e luftës, që po heton Haradinajn, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tashmë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mbi dyshimet për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë.

Top Channel