Sërish Napoli-Juve, Hysaj drejt stolit

05/04/2017 00:00

Pas takimit të së dielës, në ndeshjen e vlefshme për Serinë A dhe që përfundoi në barazim 1-1, Napoli dhe Juventus do të përballen sërish sonte, për të diskutuar kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë.

Juventinët rikthehen në Napoli, të avantazhuar nga fitorja mes polemikash, e ndeshjes së parë në Torino, me rezultatin 3-1. Nga ana tjetër, vendasit do të tentojnë gjithçka për të arritur në finale të Kupës, me synimin që të mos e mbyllin një tjetër vit pa trofe.

Trajneri Sarri ka përgatitur disa ndryshime në mbrojtje dhe në mesfushë, për të freskuar ekipin dhe për të tentuar përmbysjen e rezultatit të ndeshjes së parë. Krahët e mbrojtjes, midis tyre edhe Hysaj, si dhe dy mesfushorët e qendrës, Allan dhe Jorginho, janë futbollistët që shpenzuan më shumë energji në takimin e të dielës dhe trajneri i Napolit ka menduar t’i ulë në stol gjatë ndeshjes së sotme.

Nga ana tjetër, trajneri i Juventusit, Allegri pritet të ndryshojë më pak. Mandzukiç dhe Asamoah, të cilët u vunë shumë në vështirësi nga Hysaj dhe Callejon të dielën, pritet që të ulen në stol për ti bërë vend Alex Sandros dhe Sturaros. Në pozicionet e tjera, pritet të aktivizohen të njëjtën futbollistë që përballuan 90 minutëshin e kampionatit.

Gonzalo Higuain do të përballet sërish me vërshëllimat dhe kontestimet e tifozëve vendas, të cilët nuk e pranuan mënyrën e largimit të tij drejt bardhezinjve. Sulmuesi argjentinas u shpreh i zhgënjyer nga pritja që i bënë napolitanët në takimin e të dielës.

“Jam i zhgënjyer nga gjithë ato vërshëllima dhe kontestime. Më vjen keq që tifozët më trajtuan kështu, sepse unë te Napoli kam dhënë gjithçka”, u shpreh Higuain.   

Top Channel