Serbinë e kanë kapluar protesta pa autor, kundër zgjedhjes së Aleksandar Vuçiç president. Mbrëmjen e dytë të këtyre protestave, numri I pjesëmarrësve u shtua dhe ato u organizuan në shumë qytete të Serbisë.

Pjesëmarrësit i quajnë ato protesta kundër diktaturës dhe janë mbështetur nga opozita përmes rrjeteve sociale. Vetë Vuçiç tha se protestat nuk e shqetësonin.
 
Protestat kundër presidentit të ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u përshkallëzuan ditën e dytë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Përkundër fitores në zgjedhje, mijëra të rinj në shumicën e qyteteve të Serbisë, dolën në rrugë, në mënyrë spontane, duke bërë ftesa përmes internetit. Pavarsisht se liderët e opozitës I mbështetën ato me deklaratat e tyre, autorët e protestave ngelën të panjohur.

Ata marshuan në kryeqytetin serb, pranë të gjitha institucioneve të rëndësishme të Serbisë.
Vuçiç, I cili ndodhet në një panair në Mostar të Bosnjës, tha se nuk i pengojnë protestat.

“Ne jemi vend demokratik dhe përderisa protestat janë të qeta, respektoj të drejtën e çdo njeriu të jetë i pakënaqur me rezultatin. Imagjinoni sikur unë të ftoja simpatizuesit e mi për të festuar. Ne duhet të punojmë dhe të kujdesemi edhe më shumë”, tha presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, Vuçiç.
 
Por, pakënaqësia ndaj politikës së qeverisë serbe dhe diktaturës, siç thonë protestuesit, është e madhe.
 
Protestuesit e rinj në brohoritjet e tyre, thanë se duan të rrinë në Serbi, por jo në një vend ku qeveriset mbi baza partiake. Keto janë protestat e para kundër një sistemi pa autor, që nga protestat pas zgjedhjeve të vitit 2000, kur u largua Sllobodan Millosheviç.
 

Top Channel