ISIS: Shtetet e Bashkuara po drejtohen nga një idiot

04/04/2017 00:00

Grupi terrorist i Shtetit Islamik ka folur më në fund edhe mbi presidentin amerikan, Donald Trump. Zëdhënësi i xhihadistëve, Abu al-Hassan al-Muhajer ka thënë përmes një mesazhi audio të regjistruar dhe të publikuar këtë të martë në aplikacionin “Telegram”, se Shtetet e Bashkuara janë “duke falimentuar” dhe se “po drejtohen nga një idiot”.

Muhajer iu drejtua më pas amerikanëve me fjalët se “shenjat e vdekjes për ju janë evidente në sytë tuaj”. “Nuk ka prova më të qarta sesa fakti që ju po drejtoheni nga një idiot, i cili nuk di se çfarë janë Siria, Iraku apo Islami”, deklaron më tej ai.

Udhëheqësit e ISIS-it nuk kishin folur ndonjëherë në të kaluarën mbi Trumpin. Por mbështetësit e grupit xhihadist duket se e kanë festuar presidencën e Trumpit. Vitin e kaluar, revista “Foreign Affairs” analizoi rrjetet e komunikimit të ISIS-it dhe morën në pyetje disa persona, mbështetës apo dezertorë, të cilët thoshin se Trumpi “do t’i udhëheqë Shtetet e Bashkuara drejt rrugës së vetëshkatërrimit”.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti, anëtarë të ISIS-it raportohet ta ketë përkufizuar urdhrin ekzekutiv të Trumpit për emigracionin si “kufizimi i bekuar”, pasi ky urdhër sipas tyre provoi se Perëndimi është në luftë me Islamin.

Malcolm Nance, ekspert terrorizmi dhe oficer veteran i shërbimeve sekrete ushtarake, tha për “Business Insider” vitin e kaluar se Trump ishte “kandidati i preferuar i ISIS-it”, sepse ai është “i paqëndrueshëm”.

Shënjestrimi nga ISIS i presidentit amerikan nuk është i pazakontë përmes rrjeteve të tyre të propagandës. Ekspertë që studiojnë dukurinë “ISIS”, theksuan përpara zgjedhjeve se grupi terrorist në atë kohë fliste më shumë mbi presidentin Barack Obama, sesa për Trumpin.

Në deklaratën e publikuar së fundi, ISIS pohoi edhe njëherë forcën e saj dhe inkurajoi mbështetësit që të vazhdonin luftën.

Top Channel