Sulmi toksik në Siri, SHBA: Fajtor regjimi i Assadit…dhe Obama!

04/04/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë është e sigurtë se sulmi me armë kimike në Siri, që i kushtoi jetën të paktën 58 njerëzve, është akt i qeverisë së Bashar al-Assadit. Zëdhënësi i Trumpit, Sean Spicer dënoi veprimet mizore të regjimit të Bashar al-Assad dhe tha se është në interesin e popullit sirian, që Assadi të largohet nga posti.

Por, në seancën informuese për mediet, Spicer ka mbështetur idenë se pasojat janë drejtpërdrejt të lidhura me administratën e mëparshme amerikane, që sipas tij “nuk bëri asgjë” pasi presidenti sirian kaloi të ashtuquajturën “vijë e kuqe” të shpallur nga Obama.

Sulmi u dënua gjithashtu edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Kombet e Bashkuara dhe Franca, mes shumë vendeve të tjera.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se sulmet ajrore mbi zonën Khan Sheikhoun, të kryera nga avionë rusë apo sirianë, shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve. Burime mjekësore konfirmojnë rreth 60 viktima, por aktivistët në terren flasin për më shumë se 100.

Sipas tyre, pas sulmit me armë kimike, avionët bombarduan klinikat lokale që po trajtonin të plagosurit. Reporterë dhe mjekë në zonën e sulmit, rreth 50 km në jug të qytetit Idlib, thanë se viktimat kishin simptoma të qarta të përdorimit të armëve kimike, si gjak apo shkumë që i dilte nga goja.

Shumë prej viktimave dukej se ishin mbytur nga lënda që është ende misterioze, megjithëse qeveria siriane ka mohuar që të zotërojë apo të ketë përdorur armë kimike.

Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike tha se po heton ngjarjen, që edhe nëse vërtetohet se ishte sulm me armë kimike, zor se do ta shqetësojë presidentin Bashar al-Assad, pasi nuk do të ishte hera e parë që regjimi i tij akuzohet dhe konsiderohet fajtor për këtë.

Top Channel