Një superqytet i ri në Kinë

04/04/2017 00:00

Një rajon deri tani anonim, pranë kryeqytetit kinez të mbytur nga smogu, është bërë objektivi i blerësve të shtëpive dhe pronave, pasi Pekini zyrtar publikoi planet për ndërtimin e një qyteti të ri atje, në përpjekje për të reduktuar ndotjen dhe për të lehtësuar trafikun e rënduar.

Planet për zonën e re Xiongan, një hapësirë speciale ekonomike që autoritetet thonë se do të mbulojë një sipërfaqe sa trefishi i Nju Jorkut, u bënë të njohura nga udhëheqësit e Partisë Komuniste të shoqëruara nga një shkulm propagande.

Në një komunikatë të përbashkët për shtyp, dy organizmat më të fuqishëm politikë të Kinës, pikërisht Komiteti Qendror dhe Këshilli Shtetëror, e përshkruan qytetin e ri që do të ndërtohet 100 kilometra në jug të Pekinit, si një strategji thelbësore për mijëvjeçarin e ri.

Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se qyteti i ri do të jetë një zonë, ku do të demonstrohet zhvillim inovativ, që duhet të ketë prioritet mbrojtjen ekologjike dhe mirëqenien e njerëzve.

Sipas medieve shtetërore, qyteti i ri do të reduktojë trafikun në Pekinin me 22 milionë banorë, si dhe do të ulë ndjeshëm ndotjen. Lajmërimi qeveritar shkaktoi një reagim të menjëhershëm, jo vetëm te tregtarët e pronave të paluajtshme, por edhe te shumë qytetarë, që nxituan të blejnë prona në zonën Xiongan, me shpresën për t’i shitur shumë më shtrenjë më vonë.

Mediet lokale raportuan se pak orë pas publikimit të planeve për qytetin e ri, çmimet e pronave në Xiongan u dyfishuan.

Top Channel